Twitter nuk ka qenë dot në gjendje të parandalojë verifikimin e adresave të rreme pas rifreskimit të sistemit të verifikimit në platformë nga Elon Musk.
Përdoruesit kanë vënë re një valë adresash të reja të cilat e kishin shumë të lehtë të imitonin personazhe të famshëm, duke ndryshuar emrin e adresës dhe duke paguar $8 për të verifikuar adresën e tyre.
Për shembull, një adresë e rreme me emrin LeBron James bëri disa deklarata shumë të forta duke thënë se po kërkonte ndërrimin e ekipit të basketbollit. Shumë fansa u mashtruan nga shenja blu e verifikimit të kësaj adrese dhe menduan me të vërtetë se kjo deklaratë ishte bërë vetë nga LeBron James.
Raste të tilla kanë qenë të shumta. Një tjetër person u përpoq të imitonte ish-presidentin George W Bush, ndërkohë që publikoi një deklaratë shumë të papëlqyeshme rreth Irakut. Gjithashtu, një adresë që ekziston prej vitesh në Twitter, @jesus, u verifikua tashmë përmes pagesës prej $8 dhe shkaktoi mjaft polemika në rrjet.
Truth be told https://t.co/xSkQRFRP6o
— Jesus Christ (@jesus) November 11, 2022
Dhe pse shumica e këtyre tweets kanë një anë gazmore, ekspertët janë të shqetësuar se ndryshimet e Musk po e rëndojnë akoma më tepër keqinformimin në platformë.
Imitimi i personave të famshëm nuk është një gjë e re në Twitter, mirëpo dhënia e verifikimit ndaj këtyre adresave i bën imituesit akoma dhe më të besueshëm.