WhatsApp ka prezantuar zyrtarisht aplikacionin e ri shoqërues për Apple Watch, duke i lejuar përdoruesit të menaxhojnë bisedat e tyre direkt nga ky pajisje. Për herë të parë, përdoruesit mund të marrin njoftime për thirrje, të lexojnë mesazhe të plota, si dhe të regjistrojnë e dërgojnë mesazhe zanore pa pasur nevojë të nxjerrin iPhone nga xhepi.
Në një postim zyrtar, kompania tha se kjo përvojë e re “do t’ju ndihmojë të qëndroni në kontakt me bisedat tuaja më lehtë se kurrë më parë”. Krahas leximit dhe përgjigjes së mesazheve, aplikacioni për Apple Watch mbështet edhe reagimet me emoji, shfaq më shumë nga historiku i bisedave në ekran dhe ofron imazhe e stikera me cilësi më të qartë.
Si gjithmonë, mesazhet dhe thirrjet mbeten të mbrojtura me enkriptim fund-më-fund, garanton WhatsApp. Kompania nën pronësinë e Metës shton se planifikon të shtojë më shumë funksione për Apple Watch në të ardhmen. Për ta përdorur aplikacionin e ri, kërkohet një Apple Watch Series 4 ose më i ri, me WatchOS 10 ose version më të lartë.
Njoftimi vjen pasi WhatsApp u pa duke testuar aplikacionin javën e kaluar dhe pas përpjekjeve të saj të fundit për të zgjeruar qasjen përtej celularëve dhe desktopëve. Në maj, platforma prezantoi më në fund aplikacionin për iPad, që mbështet video dhe audio thirrje me deri në 32 persona, ndarjen e ekranit dhe përdorimin e të dy kamerave.
Prezantimi i WhatsApp për Apple Watch ndodh vetëm disa muaj pas aplikacionit të ngjashëm të Snapchat, i cili u fokusua kryesisht në përgjigje të shpejta me tekst ose emoji. Ky hap tregon ambicien e WhatsApp për të qenë i pranishëm në çdo pajisje të ekosistemit Apple.

