Meta ka treguar se do të nisë të kufizojë shpërndarjen e lajmeve në platformat e saj për të gjithë përdoruesit nga Kanadaja pasi parlamenti i këtij shteti ka miratuar një projektligj të ri, i cili detyron platformat e mëdha të kompensojnë publikuesit e lajmeve për punën e publikuar në website-t e tyre.
Në vitin 2021 e njejta gjë ka ndodhur dhe në Australi për shkak të miratimit të një ligji të ngjashëm. Online News Act i Kanadasë detyron të gjitha platformat si Meta dhe Google që të negociojnë marrëveshjet për reklamim si dhe të paguajnë organizatat për përmbajtjet që publikojnë në këto platforma.
Kompania e drejtuar nga Mark Zuckerberg e cilëson këtë “një ligj me shumë të meta që injoron mënyrën se si përfitimet funksionojnë në platformat si Facebook dhe Instagram”. Për këtë arsye, ditën e enjte Meta lajmëroi se aksesueshmëria e lajmeve në platformat e lartpërmendura do të kufizohet para se ky projektligj të vijë në fuqi.
Dhe Google e ka cilësuar ligjin si të papunueshëm në formën aktuale dhe se dëshiron që të bashkëpunojë me qeverinë për të gjetur një rrugë të mesme të përbashkët.
Nga ana tjetër qeveria thotë se projektligji është tepër i rëndësishëm për të përmirësuar barazinë në tregun dixhital të lajmeve në Kanada, si dhe për t’i siguruar organizatave të lajmeve që po kalojnë kohë të vështira një kompensim shumë të nevojshëm.