Elon Musk ka njoftuar rikthimin e arkivave të Vine, pas disa ditësh spekulimesh mbi mundësinë e “ringjalljes” së platformës. Sipas tij, kompania ka zbuluar të gjithë arkivin e videove të aplikacionit dikur shumë të njohur për video të shkurtra dhe po punon për ta bërë atë sërish të aksesueshëm për përdoruesit. Twitter e bleu Vine në vitin 2012, por nuk e zhvilloi siç duhet dhe e mbylli në vitin 2016, duke ndërprerë ngarkimet, ndërsa në 2017 u ndërpre plotësisht.
Musk tha se përdoruesit e X do të jenë në gjendje të postojnë këto video Vine, por theksoi se bëhet fjalë vetëm për një arkiv – jo për një rilançim të plotë të platformës. Qëllimet e tij të sakta për markën mbeten të paqarta. Megjithatë, njoftimi për rikthimin e arkivave u shoqërua me një reklamë për platformën e krijimit të videove Grok Imagine, të cilën Musk e quajti “AI Vine”. Ideja është që përdoruesit të mund të krijojnë përmbajtje të shkurtra duke përdorur vetëm komanda me tekst, në vend të xhirimeve tradicionale.

Kjo ka ngjallur pyetje mbi seriozitetin e planit, sidomos duke pasur parasysh historinë e Musk me premtime që nuk realizohen gjithmonë. Ende nuk dihet kur ose në çfarë forme do të rikthehet arkivi i Vine dhe çfarë do të ndodhë pas kësaj.
Për ata që nuk e njohin, Vine ishte paraardhësi i TikTok-ut – një aplikacion për video looping 6-sekondëshe që u bë fenomen kulturor për një periudhë të shkurtër kohe. Megjithatë, Twitter nuk arriti ta shfrytëzonte popullaritetin e tij pas blerjes për rreth 30 milionë dollarë, duke çuar në mbylljen e tij përfundimtare. Tani, mbetet për t’u parë nëse rikthimi i arkivit do të zgjojë nostalgjinë apo do të mbetet thjesht një kuriozitet historik.