Ndoshta ju nuk keni dëgjuar ndonjë deklaratë të veçantë nga ByteDance, kompania mëmë e TikTok, megjithatë kjo kompani ka prezantuar pa shumë zhurmë një aplikacion të ri të quajtur Lemon8 në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Ky aplikacion reklamohet si “një vend për zbulimin e përmbajtjeve të bukura, autentike dhe me tema të ndryshme”, ndërkohë që ka paguar influencer të ndryshëm të publikojnë përmbajtjet e tyre në këtë aplikacion për të rritur numrin e përdoruesve.
Ditën e mërkurë, Business Insider publikoi një raportim ku kishte intervistuar disa influencer anonimë të cilët po paguheshin nga ByteDance për të postuar përmbajtje në Lemon8. Këtyre influencerave iu ishte kërkuar të përgatisnin 3-7 fotografi vertikale si dhe një caption të gjatë 100 deri në 300 fjalë për secilin postim. Kjo është një strategji shumë më ndryshe nga Instagram, ku krijuesit mundohen të shkruajnë sa më pak informacione të jetë e mundur në caption.
Megjithatë Lemon8 nuk është rrjeti i vetëm social që paguan krijuesit që të publikojnë përmbajtje në platformën e tyre, qoftë kjo nëpërmjet një programi partneriteti zyrtar apo me sponsorizime jo publike.
Në faqjen kryesore gjendet një hapësirë “following” dhe një tjetër hapësirë “for you” të ngjashme me TikTok, mirëpo feed-i është shumë i ngjashëm me Instagram.