Twitter do të ndalojë rekomandimin e postimeve të bëra nga adresat e paverifikuara në feed-in “For You” duke nisur nga data 15 prill. Kjo gjë u bë e ditur nga vetë Elon Musk, përmes një postimi në adresën e tij në platformë.
Kjo politikë e re ka si synim të rekomandojë vetëm adresat e verifikuara (që janë të abonuar në planin Twitter Blue), “pasi kjo është e vetmja mënyrë reale për të adresuar problemin e AI bots të avancuar në platformë”.
Në të njejtin tweet, Musk tregoi se me të njejtin argumentim ka menduar të ndalojë dhe votimin nëpër sondazhe të adresave të paverifikuara. “Në të kundërt është thjesht një betejë e pashpresë e humbur.” shtoi CEO i Twitter. Në një tjetër postim Musk tha se verifikimi kundrejt pagesës rrit ndjeshëm kostot e përdorimit të një bot dhe e bën shumë më të thjeshtë identifikimin e tyre.
Starting April 15th, only verified accounts will be eligible to be in For You recommendations.
The is the only realistic way to address advanced AI bot swarms taking over. It is otherwise a hopeless losing battle.
Voting in polls will require verification for same reason.
— Elon Musk (@elonmusk) March 27, 2023
Twitter rilançoi planin e abonimit Twitter Blue në dhjetor të vitit të kaluar pas problemeve fillestare me verifikimin, ku shumë persona po imitonin personazhe të famshëm për të rritur numrin e ndjekësave.
Për të parandaluar një gjë të tillë, Twitter verifikon përdoruesit e abonuar nëpërmjet numrit të tyre të telefonit pasi adresa është rishikuar nga stafi. Të gjithë personat që dëshirojnë të ndryshojnë username-in e tyre apo foton e profilit, humbasin përkohësisht shenjën e verifikimit deri sa ndryshimet e tyre të rishikohen nga stafi i Twitter.