Parisi do të kthehet sërish në kryeqendrën evropiane të teknologjisë në datat 17 deri më 20 qershor, teksa VivaTech 2026 feston edicionin e tij të 10-të. Eventi, i konsideruar si një nga takimet më të rëndësishme globale për startup-et, investitorët dhe kompanitë e teknologjisë, pritet të sjellë edicionin më të madh në historinë e tij dhe Geek Room së bashku me Vodafone do të jenë aty për të raportuar drejtpërsëdrejti për të gjithë ndjekësit në rrjetet sociale.
Pas një dekade rritjeje të vazhdueshme, VivaTech ka evoluar nga një aktivitet me rreth 45,000 vizitorë në një platformë globale që tërheq mbi 180,000 pjesëmarrës nga më shumë se 170 vende. Organizatorët synojnë që edicioni i sivjetshëm të shënojë një hap të ri për ekosistemin evropian të inovacionit, duke zgjeruar hapësirat ekspozuese dhe duke rritur mundësitë e bashkëpunimit mes startup-eve dhe investitorëve.
Sipas organizatorëve, në VivaTech 2026 do të marrin pjesë rreth 15,000 startup-e dhe mbi 4,000 investitorë, ndërsa numri i prezantimeve dhe demonstrimeve teknologjike do të jetë më i lartë se në çdo edicion të mëparshëm. Eventi do të zhvillohet në Paris Expo Porte de Versailles, duke shfrytëzuar hapësira të zgjeruara për të përballuar interesin në rritje të komunitetit global të teknologjisë.

Inteligjenca Artificiale mbetet tema kryesore e këtij viti, me fokus të veçantë në zhvillimin e modeleve të avancuara, AI agjentike, robotikën dhe infrastrukturat europiane të AI-së. Krahas saj, në qendër të diskutimeve do të jenë edhe siguria kibernetike, energjia, teknologjitë kuantike, healthtech, climatetech dhe inovacionet në fushën e hapësirës.
Një nga veçoritë e këtij edicioni është shpallja e Gjermanisë si “Country of the Year”, duke sjellë delegacionin më të madh ndërkombëtar në historinë e eventit dhe duke reflektuar ambicien e Evropës për të forcuar pozicionin e saj në garën globale teknologjike.
Përtej ekspozitës tradicionale, VivaTech synon të afrojë teknologjinë edhe me publikun e gjerë. Aktivitete të dedikuara do të organizohen në Paris, përfshirë iniciativa në Champs-Élysées dhe evente që synojnë të frymëzojnë brezin e ri të sipërmarrësve, zhvilluesve dhe krijuesve të teknologjisë.
Ashtu si në vitet e fundit, pritet që skena e VivaTech të mirëpresë drejtues kompanish teknologjike, startup-e inovative dhe ekspertë të industrisë, të cilët do të diskutojnë mbi sfidat dhe mundësitë që do të formësojnë dekadën e ardhshme të transformimit digjital. Me Inteligjencën artificiale që po kalon nga faza eksperimentale në aplikime konkrete biznesi, edicioni i 10-të i VivaTech premton të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme teknologjike të vitit 2026.

