Instagram po rikthen një nga veçoritë e tij më kaotike, tashmë të ripunuar për epokën e videove me forma të shkurtra. Një kategori e re në Reels do të shfaqë video që miqtë e një përdoruesi i kanë pëlqyer ose kanë shtuar komente, njoftoi drejtuesi i Instagram, Adam Mosseri në një video-mesazh.
Përdoruesit do të jenë në gjendje të shohin se cilët miq kanë pëlqyer një video, gjë që na kujton “activity feed” në Instagram që u eleminua nga platforma në 2019. “Ne duam që Instagram të jetë jo vetëm një vend ku konsumoni përmbajtje argëtuese, por një vend ku lidheni me miqtë mbi atë përmbajtje”, thotë Mosseri. Në versionin e ri, do të keni mundësi të shihni se cilët miq kanë pëlqyer një postim dhe cilët kanë lënë një “shënim” të përkohshëm në një Reel.
Kjo tingëllon bukur në një botë ideale, por duke pasur parasysh mënyrën se si u trajtua activity feed, mund të mos ketë shumë përdorues që duan që miqtë e tyre të shohin të gjitha Reels që u kanë pëlqyer. Gjithashtu mund t’i dekurajojë njerëzit që të angazhohen publikisht me përmbajtjet në këtë mënyrë për të shmangur treguar për të gjithë miqtë e tyre postimet që pëlqejnë.
Platforma të tjera si X kanë shkuar në rrugën e kundërt duke fshehur postimet e pëlqyera të përdoruesve, pjesërisht sepse njerëzit vazhdonin të kapeshin duke pëlqyer gjëra të sikletshme. Meta nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve nëse përdoruesit mund të tërhiqen nga shfaqja e aktivitetit të tyre në versionin e ri të Reels.
Instagram do të përfitojë nëse rivali i tij më i madh, TikTok, detyrohet të tërhiqet nga SHBA këtë fundjavë. Reels është përgjigja e Instagram për TikTok, por shumë krijues dhe përdorues thonë se atmosfera në Reels nuk i përshtatet mjedisit që TikTok ka kultivuar. Ndërsa funksioni i ri mund të ngjallë dramë dhe të tërheqë disa përdorues në Reels, ai gjithashtu mund të ketë efektin e kundërt për ata që nuk duan të transmetojnë të gjitha interesat e tyre.