Kina prej kohësh po synon të arrijë në vendin e parë në fushat në zhvillim si AI dhe informatika kuantike. Tani, ajo ka një qëllim të ri: të krijojë robotë realistë që mund të imitojnë veprimet dhe emocionet njerëzore. Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit ka zbuluar një plan për të prodhuar robotët e parë humanoid të Kinës deri në vitin 2025. Programi synon gjithashtu të nxisë më shumë startup në këtë sektor, të vendosë norma të industrisë, të kultivojë talentin dhe të përmirësojë bashkëpunimin ndërkombëtar.
Sipas Bloomberg, lajmërimi rriti vlerën e stoqeve të firmave kineze të robotikës, pasi sinjalizoi një front të ri në rivalitetin teknologjik midis Kinës dhe SHBA-së, dy ekonomive më të mëdha në botë. Kompanitë amerikane si Tesla dhe Boston Dynamics kanë qenë udhëheqëse në zhvillimin e robotëve të avancuar.
Kina, prodhuesi më i madh në botë i produkteve elektronike, shpreson të arrijë përparime në fusha të tilla si ndjeshmëria ndaj ambientit, kontrolli i lëvizjes dhe ndërveprimi njeri-makinë në dy vitet e ardhshme, tha ministria. Kina gjithashtu kërkoi përdorimin e inteligjencës artificiale në robotikë dhe kryerjen e më shumë kërkimeve mbi gjymtyrët e robotëve.
Plani ishte i paqartë për sa i përket specifikave, por ambicioz në shtrirje. Kina gjithashtu dëshiron që robotët e saj humanoidë të mendojnë, të mësojnë dhe të avancojnë deri në vitin 2027, si dhe të ndërtojnë një sistem të besueshëm të zinxhirit të furnizimit për të mbështetur prodhimin e tyre, tha ajo.
Robotët humanoidë pritet të marrin përsipër më shumë detyra që bëjnë njerëzit, që nga blerjet e deri te puna në situata të rrezikshme. Disa kompani amerikane kanë krijuar disa produkte në këtë fushë, me Tesla që punon në robotin e saj humanoid “Optimus” dhe Atlas të Boston Dynamics.
Hyundai Motor Group i Koresë së Jugut bleu Boston Dynamics për $1.1 miliardë tre vjet më parë.