Meta ka vendosur që të vazhdojë akoma më tej luftën kundër keqinformimit në platformat e saj duke bashkëpunuar me organizatën e pavarur të verifikimit të fakteve “Faktoje”, e cila është certifikuar nga IFCN për transparencën dhe pavarësinë e saj.
Në këtë mënyrë do të ketë më pak lajme të rreme në platformat si Facebook dhe Instagram. Detyra kryesore e gazetarëve në “Faktoje” do të jetë verifikimi i vërtetësisë së fakteve të zbuluara nga vetë Meta, përmes raportimit nga përdorues të ndryshëm, si të rreme. Nëse “Faktoje” i cilëson lajmet e bëra “flag” si të rreme, atëherë Meta do të bëjë të mundur uljen e përhapjes më tej të këtij lajmi, si dhe do të heqin mundësinë e reklamimit të postimit si dhe gjenerimin e parave nga ky postim.
Kur lajmi është verifikuar si i rremë, të gjithë personat që hasen me këtë postim ose që dëshirojnë ta shpërndajnë do të përballen me një paralajmërim mbi vërtetësinë e postimit.
“Ne jemi të lumtur, që më në fund edhe Shqipëria, përmes “Faktoje” u bë pjesë e këtij partneriteti me Meta-n. Misioni ynë është të luftojmë disinformimin, të informojmë me fakte dhe të tregojme qartë se cilat janë lajmet e rreme që helmojnë cdo ditë nga pak jetën tonë. Ky partneritet, është një fillim i ri për ne, dhe jemi të lumtur që prej ditës së sotme jemi pjesë e këtij programi global.” tha Klodiana Kapo, Drejtore Ekzekutive e “Faktoje” në Shqipëri.
Meta po bashkëpunon me më tepër se 80 partnerë në mbi 60 gjuhë të ndryshme në mbarë botën për të luftuar me keqinformimin në platformat e saj.