Ushtria franceze është blerësja më e re e qenit robot të quajtur Spot, nga Boston Dynamics, i cili po trajnohet për skenare luftarake. Pamjet janë shpërndarë nga shkolla ushtarake Saint-Cyr, ku shfaqen ushtarët gjatë trajnimeve.
Kjo shkollë ushtarake tregon se Spot dhe “robotizimi i fushëbetejës” po ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit tek studentët rreth sfidave të së nesërmes. Spot është projektuar për të funksionuar në ambiente të brendshme dhe të jashtme, të zbulojë dhe të shmangë pengesa, të ngjisë shkallët dhe të hapë dyer.
Saint-Cyr ka aplikuar 3 modele trajnimi për Spot: një aksion ofensiv për daljen në rrugë, një aksion mbrojtës gjatë ditës dhe natës dhe një aksion gjatë betejës urbane.
Ai mund të ndërmarrë detyra të rrezikshme në mjedise të ndryshme si futja në impiante bërthamore, fushat e naftës dhe vendet e ndërtimit. Roboti i zhvilluar nga Boston Dynamics kushton $75,000, dhe një ndër blerësit e parë të tyre ishte vetë Elon Musk për firmën e tij SpaceX.