Kur kërkon në Google Search për ndonjë njeri të famshëm, përveç linkeve të ndryshëm të paraqitet edhe një modul me informacione e të dhëna për të. Për të bërë të mundur këtë Google merr të dhëna nga burime të besueshme dhe përpilon kartën e personazhit.
E nëse kërkon emrin tënd, nëse edhe ti si ne të tjerët nuk je i famshëm, gjithçka të shfaqet janë linqet e rrjeteve të tua sociale, dikush me emër të ngjashëm me tëndin dhe ndonjë video e turpshme që ke hedhur në YouTube kur ke qenë 10 vjeç dhe tani ke harruar kodin.
Modulin e mësipërm, Google së shpejti do ta bëjë të mundshëm edhe për njerzit e thjeshtë. Duke filluar nga sot kompania ka lançuar “People Card” një lloj kartvizite digjitale, ku sa herë ti apo dikush tjetër të bëjë search do ti shfaqet po ashtu një modul me të dhëna dhe linqe direkte në rrjete sociale apo website të lidhura me ty.
Në këtë modul mund të përfshihet emri, profesioni, rezidenca, adresa, numri i telefonot, emaili etj.
Burimi i informacionit? Vetë ti.
Mjafton të kesh një adresë Google e më pas do të mundesh të përpilosh formularin me gjithë të dhënat që dëshiron të ndash. Për ta verifikuar do të të kërkohet një numër telefoni, dhe nëse ndërron mendje mund ta fshish në çdo moment.
A thua të jetë kjo më në fund zgjidhja e Google për të marrë një copë nga tregu i madh i rrjeteve sociale?
Mbetemi në pritje të një lançimi global, të shohim si do të shkojë në Indi.