Ditën e djeshme, një startup me emrin Venturi Astrolab ka prezantuar një rover ndërplanetar që është dizenjuar për të transportuar materiale dhe persona të ndryshëm në sipërfaqjen e Hënës, dhe më pas në Mars. Kjo kompani tregon se planifikon të ndërtojë një flotë me këto rover në dekadën e ardhshme për të ndihmuar NASA dhe kompanitë komerciale që të krijojnë një prezencë afatgjatë në Hënë.
Ky rover mban emrin FLEX, ose Flexible Logistics and Exploration, dhe mund të përkulet për të ngritur ngarkesat nga sipërfaqja e Hënës, duke i mbajtur ato nën “barkun” e tij para se t’i depozitojë ato në vendin e dëshiruar. Sipas këtij koncepti mund të ngrihen shumë materiale të ndryshme, për sa kohë ato përmbushin standardet e madhësisë dhe formës të FLEX. Ky rover mund të lëvizë gjysëm automatikisht, të kontrollohet nga larg apo të drejtohet nga astronautët që mund të ulen në pjesën e sipërme të tyre.
Qëllimi i FLEX dhe i Astrolab është që të sigurojë të ardhurat e saja duke u bazuar në zhvillimet e reja që dëshirojnë të çojnë njerëz sërisht në Hënë, sipas CEO-s Jaret Matthews. “Kompanitë si SpaceX dhe Blue Origin po zgjidhin problemet e transportimit në hapësirë, ndërkohë që ne po tentojmë të zgjidhim problemin e transportimit pas uljes në sipërfaqjen e planetëve të tjerë.” tha Matthews.
Jaret Matthews ka një eksperiencë të gjatë në krijimin e rovers-ave të ndryshëm, pasi ai nisi karrierën e tij në laboratorin JPL të NASA dhe punoi për krijimin e rover-ave Spirit dhe Opportunity që u lançuan në Mars në vitin 2003. Më pas ai punoi në SpaceX, në anijen kozmike Crew Dragon para se të themelonte Astrolab.