Ekranet e harkuar janë prej disa vitesh prezentë në treg, mirëpo deri më tani nuk kishim parë ekrane që mund të tendosen. Me sa duket Samsung po vazhdon të përmirësojë teknologjinë e ekraneve, duke ndërtuar një ekran të të tillë që mund të tendoset në të gjitha drejtimet në mënyrë të ngjashme me byzylykët prej gome.
Kohët e fundit studiuesit e kompanisë, që krijuan ekranin OLED të tendosshëm deri në 30%, e integruan atë në një monitorues të rrahjeve të zemrës që mund të ngjitet në lëkurë si një leukoplast. Ekrani mund të tendoset falë përdorimit të një materiali që njihet si elastomer.
“Pika e fortë e kësaj teknologjie është se ajo të lejon të marrësh të dhëna biometrike për një periudhë më të gjatë pa pasur nevojën për ta hequr këtë pajisje gjatë gjumit ose stërvitjes. Ju mund t’i kontrolloni këto të dhëna direkt nga ekrani, pa patur nevojën për t’i transferuar në një pajisje tjetër.” tha Youngjun Yun në një deklaratë për shtyp.
Testimet paraprake kanë treguar se edhe pasi kjo pajisje është tendosur rreth 1,000 herë, ka vazhduar të funksionojë normalisht. Duke qenë më pranë lëkurës së njeriut, ajo është në gjendje të kapë një sinjal 2.4 herë më të fuqishëm se sensorët aktual.