Sipas raportimeve të fundit bëhet e ditur se Samsung po punon për të sjellë një version “Pro” të Galaxy Watch 5. Prej shumë kohësh Samsung ofron vetëm 2 versione të orave smart në madhësi të ndryshme. Mirëpo gjatë këtij viti kompania mund të sjellë një variant të 3-të, i cili mund të quhet Galaxy Watch 5 Pro.
Nuk është bërë ende e ditur se cilat do të jenë specifikat kryesore të kësaj ore smart me numër model SM-R925, por një çertifikim korean konfirmon se bateria e kësaj pajisje do të jetë 572mAh. Një bateri e tillë do të ishte një upgrade i madh nga seria aktuale e Galaxy Watch, dhe do të jetë interesante të shikojmë se si madhësia e trupit të kësaj pajisje do të ndryshojë për shkak të baterisë së madhe.
Galaxy Watch 4 vjen me bateri 361mAh, gjë që do të thotë se Watch 5 Pro mund të vijë me një rritje të kapacitetit të baterisë me 60%. Në Galaxy Watch 4 përdoruesit kanë vënë re se jetëgjatësia e baterisë nuk është e ngjashme me seritë paraardhëse, kryesisht për shkak të ndryshimit të sistemit operativ nga TizenOS në WearOS gjatë këtij viti, dhe Samsung dëshiron të rregullojë këtë problem përmes serisë Galaxy Watch 5 (pasi dhe modelet e tjera pritet të kenë një rritje të kapacitetit të baterisë).
Megjithatë ne nuk mund të jemi 100% të sigurtë që kjo pajisje do të prezantohet së shpejti.