Qualcomm prezantoi Snapdragon 8 Elite në fund të vitit të kaluar, duke ndryshuar emërtimin e linjës kryesore që ndryshe do të quhej Snapdragon 8 Gen 4. Për vitin aktual priten dy pasues: Snapdragon 8 Elite 2 (SM8850) dhe Snapdragon 8 Gen 5 (SM8845), ndërsa sipas thashethemeve mund të shfaqet edhe një version i prodhuar nga Samsung – SM8850s.
Sipas Digital Chat Station në Weibo, Snapdragon 8 Gen 5 nuk është një version i përmirësuar i Snapdragon 8s Gen 4, por një çip krejtësisht i veçantë brenda serisë 8. Ai do të përdorë të njëjtin proces prodhimi TSMC N3P si Elite 2 dhe do të bazohet në procesorin Oryon të zhvilluar nga Qualcomm. Ende nuk dihet nëse do të përdoren të njëjtat bërthama si tek Elite apo një gjeneratë më e re. Gjithashtu, ai do të mbështesë SME (Scalable Matrix Extension) për përshpejtim të AI-së direkt në pajisje.

Raportimet tregojnë se shumica e prodhuesve kryesorë të Android-it planifikojnë ta integrojnë Snapdragon 8 Gen 5 në modelet e tyre premium. Megjithatë, mungesa e Snapdragon 8s Gen 5 (SM8835) e vendos këtë çip si alternativë për segmentin “flagship killer”. Problemi është se çmimet e larta të Qualcomm mund ta bëjnë këtë segment më të shtrenjtë, duke e afruar me kategorinë e flagship standardë.
Në këtë mënyrë, linja e re e Qualcomm mund të përfshijë:
- SM8850 – Snapdragon 8 Elite 2/Elite Gen 2
- SM8845 – Snapdragon 8 Gen 5
- SM8850s – version i prodhuar nga Samsung
Kjo e bën gamën më të pasur, por edhe më konfuzuese për përdoruesit dhe prodhuesit.