Dje Microsoft u shpreh se ka nënshkruar një kontratë me United States Army për pajisjen e saj me 120,000 AR headset të cilat bazohen në teknologjinë HoloLens. Kjo kontratë ka një afat kohor prej 10 vitesh dhe çmim $21.8 miliardë.
Sipas Microsoft, kjo pajisje do të përmirësojë kujdesin e treguar në situata të ndryshme duke shpërndarë informacione dhe duke shkurtuar kohën e marrjes së një vendimi. Kjo kontratë vjen si shtesë pas asaj prej $480 milionë në 2018 ku U.S Army ra dakort për pajisjen me teknologji AR.
Ky njoftim shënon fillimin e tranzicionit nga krijimi i prototipeve në prodhimin e këtyre produkteve në masë. Deri më tani teknologjia AR nuk është prodhuar asnjëherë në sasi të mëdha, por buxheti i Microsoft i siguruar nga qeveria është i mjaftueshëm për të kaluar problemet fillestare të prodhimit në masë. Shumë nga kompanitë më të mëdha në industrinë AR kanë qenë disi ngurrues kundrejt nënshkrimit të kontratave me ushtrinë e SHBA por Microsoft është treguar i palëkundur në kompletimin e këtyre kontratave.