Meta ka vendosur të hapë dyqanin e parë fizik për shitjen e hardware të kompanisë në Kaliforni. Ky dyqan do të hapet në datën 9 maj dhe do të lejojë vizitorët të testojnë Portal Videophones dhe VR Headset Quest. Vizitorët do të mund të testojnë dhe syzet smart Ray-Ban Stories të cilat u lançuan gjatë vitit të kaluar.
Në një pjesë të veçantë të dyqanit do të përfshihet zona “Portal” ku përdoruesit mund të testojnë aftësitë e video-telefonatave të shërbimit me një punonjës të dyqanit. Gjithashtu do të ketë hapësirë dhe për të provuar disa demo të Quest 2, si Beat Saber, GOLF+, Real VR Fishing dhe Supernatural.
Përmes kësaj lëvizjeje, Meta synon të rrisë shitjet e produkteve të kompanisë, duke ndjekur kështu hapat e Google. Më parë Meta ka bashkëpunuar me Best Buy për të vendosur disa stacione testimi për VR Headsets në hapësirat e saj.
Megjithatë kompania është ende larg Google, pasi nuk do të ketë një rrjet dyqanesh në shtete të ndryshme, por do të shfrytëzojë vetëm hapësirën e vogël prej 460 metrash katror. Gjithashtu orari i përzgjedhur (11:00 – 18:00 nga e hëna në të premten) duket se nuk përshtatet me orarin ideal të shopping-ut për njerëzit që janë në punë përgjatë ditës.