Termi Start Up i referohet iniciativave për modele të reja biznesi, inovatore e kryesisht të lindura nga të rinjtë.
Ky aspekt i ri i jetës moderne do të marrë një trajtim të veçantë nga Qeveria Shqiptare. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, dhe ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi kanë zhvilluar një takim virtual ku kanë paraqitur këtë projekt të mbështetur edhe nga BE e palë të tjera.
Nisma ka për qëllim ofrimin e ambienteve falas për punë, resurseve por edhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për iniciativat inovatore nëpërmjet një agjencie të dedikuar. Më e rëndësishmja qeveria po harton një kuadër ligjor i cili do të garantojë lirshmëri fiskale, konsulencë, monitorim, e grante për të ndarë një pjesë të kostove.
Bizneset e reja që do të regjistrohen në këtë agjenci do të përjashtohen nga tatimi mbi biznesin e vogël, taksa vendore e ndërtesës dhe e tabelës.
Start Up-et do të jenë të karakterit teknologjik, përfshi programimin, IT dhe shërbime të reja për tregun tonë.
Projektligji ndër të tjera është i hapur për konsulencë publike, si formë thirrje e hapur për bashkëpunim, me qëllim krijimin e një ligji sa më të saktë, pa përjashtuar askënd e për të ofruar sa më shumë.
Nëse ke një ide që mendon se ka potencial e të mungon mbështetja tanimë nuk do jesh vetëm.