Amazon, Facebook dhe Twitter janë ndër kompanitë më të rëndësishme të cilat kanë treguar se nuk do të marrin pjesë në Consumer Electronics Show (CES), i cili do të zhvillohet në Las Vegas në janar të vitit të ardhshëm. Këto deklarata vijnë pas shqetësimit global mbi shpërndarjen e variantit të ri të COVID-19, Omicron.
Organizuesit ishin përgatitur për të zhvilluar këtë konferencë nga data 5 deri në 8 janar, duke ndjekur të gjithë rregullat për sigurinë shëndetësore. Në këtë konferencë do të marrin pjesë vetëm personat që mbajnë maskën gjatë gjithë kohës, testohen në këtë vend dhe tregojnë çertifikatën e vaksinimit.
Sigurisht si të gjithë eventet e tjera të organizuara gjatë këtyre viteve, dhe CES në Las Vegas do të mund të ndiqet dhe në mënyrë dixhitale, ku personat do të kenë akses në seancat e konferencave.
Vitin e kaluar CES u zhvillua pa praninë e personave në një event virtual. Në këtë konferencë kompanitë më të njohura në mbarë botën prezantojnë produktet e tyre më të reja, të cilat tërheqin shumë vizitorë.
Megjithatë vlen të përmendet se Google dhe Waymo nuk kanë deklaruar për mospraninë e tyre në këtë event, pra plani është që ato do të marrin pjesë.