Në një intervistë me The Babylon Bee, CEO i Tesla dhe SpaceX Elon Musk tregoi mendimet e tij mbi botën tepër të njohur virtuale të Facebook të njohur si Metaverse.
“Sigurisht që ju mund të vendosni një TV në hundën tuaj, por unë nuk jam i sigurt se kjo gjë ju shpie në metaverse. Është shumë e parehatshme mbajtja e kësaj gjëje në kokën tuaj gjatë gjithë kohës. Unë besoj se ne jemi disi larg ‘zhdukjes’ në metaverse.” u shpreh ai.
Musk shfrytëzoi rastin për të treguar se ai sheh një alternativë shumë të mirë të këtij problemi, Neuralink. “Një Neuralink i sofistikuar mund t’ju vendosë plotësisht në një botë virtuale.” shtoi Elon.
Meta gjatë kohëve të fundit ka shtyrë shumë drejt zhvillimit të mëtejshëm të VR, duke e reklamuar Metaverse si një mënyrë më interesante e komunikimit me miqtë përmes një VR Headset. Mirëpo dhe vetë zëvëndës presidenti i kompanisë Nick Clegg deklaroi se eksperienca akoma nuk është në nivelin e duhur.
“Unë nuk e kuptoj. Ose më mirë le të themi unë nuk e kuptoj ende.” tha Musk, i cili mund të jetë gabim dhe nuk po e vlerëson sa ç’duhet potencialin e Metaverse në të ardhmen, njësoj si David Letterman nënvlerësoi potencialin e internetit në një intervistë në 1995 me Bill Gates.
Megjithatë nëse Neuralink zhvillohet gjithnjë e më tej në këtë drejtim, mund të ketë shumë avantazh mbi Meta.