Dhe pse Dyson është shumë e njohur për fshesat e saj me korent dhe tharëset e flokëve, gjigandi i teknologjisë zbuloi se po zhvillon në mënyrë sekrete një rang të ri robotësh futuristikë.
Këto robotë janë të dizenjuar për të kryer punë të ndryshme shtëpiake, duke përfshirë këtu sistemimin e lodrave dhe larjen e enëve. Jake Dyson, kryeinxhinieri i Dyson tha: “Në të ardhmen do të ketë një hapësirë mjaft të madhe për robotët që do të kursejnë kohën e njerëzve, duke kryer punët e shtëpisë dhe duke përmirësuar jetën e përditshme. Unë jam një prind, dhe pothuajse gjysmën e jetës e shpenzoj duke pastruar rrëmujën e fëmijëve të mi, dhe kjo gjë është tepër e lodhshme.”
Deri më tani, robotët e Dyson kanë qenë kryesisht fshesat me korent për pastrimin e dyshemesë, dhe i pari (DC06) u dizenjua 20 vite më parë. Tashmë kjo kompani ka shfaqur një video të shkurtër të planeve të saj ambicioze në krijimin e robotëve të avancuar, të cilët do të kenë duar mekanike për të kapur objekte të ndryshme.
Për të arritur qëllimet e tyre, Dyson ka punësuar 250 inxhinierë robotikë, dhe pritet që të punësojë dhe 700 të tjerë përgjatë 5 viteve në vijim.