Prodhuesi kinez i dronëve, DJI ka konfirmuar se do të ndalojë të gjitha dorëzimet e produkteve të saja dhe nuk do të ofrojë më suport teknik në Rusi dhe Ukrainë pas shqetësimeve se produktet mund të modifikohen për t’u përdorur si armë në luftë.
Ky është hapi i parë konkret që DJI ka marrë mbi adresimin e luftës në Ukrainë. Kompania më parë është përmendur nga zëvëndës kryeministri Mykhailo Federov i cili e akuzoi atë se po ndihmonte Rusinë në vrasjen e civilëve ukrainas përmes sistemit detektues të DJI, AeroScope. Të dy shtetet po përdorin dronët DJI për të gjurmuar lëvizjet ushtarake, dhe disa raportime po tregojnë se disa prej tyre po transformohen në armë të improvizuara.
Deri më tani kompania ka dashur të qëndrojë sa më larg kësaj ngjarjeje, dhe zëdhënësi Adam Lisberg tregoi se “prej 15 vitesh, DJI është munduar të qëndrojë jashtë gjeopolitikave të ndryshme.”
Mirëpo ndalimi i shitjeve në të dy shtetet është konfirmuar tashmë përmes një raportimi nga Reuters. Kjo gjë nuk do të thotë se shërbimi ekzistues AeroScope nuk do të funksionojë më, por ekziston një mundësi që ai të mos ri-autorizohet pasi liçenca të skadojë gjatë kësaj kohe.
“Ne vendosëm të bëjmë diçka, pasi nuk pëlqejmë të shikojmë njerëz që përdorin produktet tona për të lënduar persona të tjerë.” shtoi Lisberg.