Përmes një letre të hapur të firmosur nga Boston Dynamics dhe 5 kompani të tjera lider në tregun e pajisjeve robotike, Agility Robotics, ANYbotics, Clearpath Robotics, Open Robotics dhe Unitree tregohet zotimi i tyre për të mos pajisur robotët me armë.
Këto kompani tregojnë se avancimi në botën robotike mund të sjellë përfitime të mëdha në punën dhe shtëpinë tonë, por në të njejtën kohë ato mund të përdoren për qëllime të këqija.
“Njerëzit e pabesueshëm mund të përdorin robotët që ne prodhojmë për të shkelur të drejtat civile ose për të kërcënuar, dëmtuar dhe intimiduar persona të tjerë. Ne besojmë se shtimi i armëve në robotë të cilët operohen në distancë apo në mënyrë autonome, të cilët janë gjerësisht të pranishëm në publik dhe të aftë të lëvizin në vendndodhje të paakesueshme ku njerëzit punojnë dhe jetojnë, rrit rriskun e dëmtimit dhe sjell disa probleme etike serioze.” shtuan kompanitë.
Të 6 kompanitë u zotuan që të mos përfshinin armë në produktet e tyre apo software-in që i kontrollon ato. Në letër u tregua gjithashtu se ato do të përpiqen që ta bëjnë sa më të vështirë për konsumatorët që të ndërhyjnë në sistemet robotike.
Boston Dynamics ka lejuar që qeni robotik Spot të përdoret nga policia në raste të rrezikshme, por kanë pranuar se Spot nuk është dizenjuar për këtë shërbim.