Sipas raportimeve të fundit Apple po punon për një version të ri të Apple Watch i cili është më i fortë dhe është dizenjuar për t’u përdorur në ambiente ekstreme. Mendohet se ky produkt mund të vijë në treg më vonë gjatë këtij viti ose në 2022.
Ky Apple Watch do të ofrojë një funksion tepër të ngjashëm me versionin origjinal, por do të ketë një eksterior të gomuar dhe shërbime të reja për të ndjekur përdoruesit gjatë notimit. Apple Watch i tanishëm është mjaft i përdorur nga personat që merren me fitness dhe janë rezistentë ndaj ujit deri në 50 metra, mirëpo nuk konsiderohen shumë të përshtatshme për përdorim në sporte ekstreme. Duke përfituar nga kjo situatë janë kompanitë si Suunto dhe Garmin, të cilët ofrojnë atë që mungon për momentin nga Apple.
Për herë të parë një version i tillë është menduar në 2015 nga gjigandi i teknologjisë, por planet nuk u shndërruan në realitet. Zakonisht Apple prezanton këto smartwatch në gjysmën e dytë të vitit, por përmirësimet e vitit të kaluar nuk ishin aq sa duheshin për të bërë përdoruesit të blinin këtë model. Një version më i fortë i smartwatch-it ekzistues mund të tërheqë vëmendjen e shumë personave.