Amazon po punon për të lançuar 2 satelitë prototip që do të jenë pjesë e shërbimit rivalizues të Starlink, Project Kuiper. Pritet që kompania të nisë drejt hapësirës këto dy satelitë gjatë vitit të ardhshëm.
Marrëveshja është firmosur për të kryer 83 lançime të satelitëve Kuiper midis United Launch Alliance, Arianespace dhe Blue Origin. Mirëpo ka një problem të vogël. Këto lançime duhet të kryhen nëpërmjet raketave të cilat akoma nuk kanë fluturuar në drejtim të orbitës, duke përfshirë këtu New Glenn të Blue Origin dhe Ariane 6. Gjatë një bisede me The Washington Post, zëvëndës presidenti i pajisjeve dhe shërbimeve Dave Limp përmendi këtë shqetësim dhe refuzoi të përjashtonte mundësinë e kërkimit të ndihmës nga rivalët SpaceX.
Project Kuiper pritet të arrijë në të ardhmen një numër total prej 3.236 satelitësh në orbitën e ulët të Tokës, duke sjellë internet me shpejtësi të lartë në çdo cep të planetit, në mënyrë të ngjashme me Starlink. SpaceX ka aktualisht më tepër se 3,000 satelitë në orbitë, dhe ka si qëllim të dërgojë dhe 30,000 të tjerë në të ardhmen.
Për shkak se është disi pas në këtë drejtim, Amazon mund të kërkojë ndihmën e rivalëve për lançimin e këtyre satelitëve. “Ju duhet të jeni të çmendur nëse nuk e konsideroni një mundësi të tillë, duke parë arritjet e tyre.”