Parker Solar Probe i NASA i është afruar më shumë se kurrë më parë Diellit, duke arritur në një distancë 6.1 milionë kilometra nga sipërfaqja e tij– një rekord i ri – në prag të Krishtlindjeve. Ju mund të ndiqni momentin historik të Parker në faqen e NASA’s Eyes On The Solar System.
Në një nga bëmat më mbresëlënëse të njerëzimit në eksplorimin e hapësirës, të martën, më 24 dhjetor, një anije kozmike e NASA-s “e blinduar” – e cila ka një madhësi më të vogël se një makinë – u bë objekti më i afërt me Diellin i prodhuar nga njeriu në histori. Kjo arritje monumentale e eksplorimit ndodhi në orën në datën 24 dhjetor, ndërsa Parker kreu një fluturim të jashtëzakonshëm pranë diellit, duke arritur vetëm 6.1 milionë kilometra nga sipërfaqja e tij.
Ishte afrimi i tij i 22-të afër diellit. Dr. Nour Raouafi, shkencëtari i projektit në Laboratorin e Fizikës së Aplikuar Johns Hopkins, e barazon rëndësinë e këtij misioni me uljen në Hënë në vitin 1969.
“Është momenti që kemi pritur për gati 60 vjet,” tha ai gjatë një tryeze të rrumbullakët mediatike në Takimin vjetor të Unionit Gjeofizik Amerikan më 10 dhjetor 2024. “Në 1969, ne zbarkuam njerëzit në hënë. Në prag të Krishtlindjes, ne përqafojmë një yll – yllin tonë.”
Nxehtësia së cilës do t’i nënshtrohet Parker në pikën më të afërt me Diellin do të jetë “gati 500 herë më e nxehtë se dita më e nxehtë e verës në Tokë“, tha Raouafi. Parker është tashmë objekti më i shpejtë i ndërtuar ndonjëherë në Tokë, por ndërsa arriti pikën e tij më të afërt me diellin, ai udhëtoi me 690,000 km/h, duke thyer rekordet e tij për shpejtësi dhe distancë.
Operatorët e misionit në Laboratorin e Fizikës së Aplikuar Johns Hopkins në Laurel, Maryland, do të humbasin kontaktin me sondën për tre ditë dhe do të presin për një sinjal më 27 dhjetor 2024, që do të konfirmojë mbijetesën. Parker do të kryejë dy kalime të tjera të afërta në të njëjtën distancë më 22 mars dhe 19 qershor 2025.