Një kompani si Vivo është goxha familjare për syrin e dikujt që i ka me merak kamerat. Kamera e parë frontale pop-up tek Vivo NEX, sistemi Gimbal Camera në serinë X50 dhe përdorimi i sensorit 50MP GN1 janë vetëm disa prej sukseseve të kompanisë në këtë fushë.
Ndaj për të t’i dhënë edhe vetes vlerën që i takon në industri ka vendosur të sjellë një platformë e cila ka për qëllim kthimin e fotografisë mobile në diçka vërtetë profesionale. Ditën e sotme u prezantua “Vision+” një iniciativë globale e cila do të funksionojë si një ekosistem i përbërë nga Vision+ Mobile Photography Awards, e nisur së bashku me National Geographic, Vision+ Mobile Photography Academy, Vision+ Master Class, Vision+ Youth Program dhe Vision+ Photographers Federation.
Struktura të cilat do të stimulojnë e madje ofrojnë trajnim të psatshëm për fushën e fotografisë me smartphone.
Ajo që bie në sy nga lista e mësipërme është edhe bashkëpunimi me prestigjozët e National Geographic, për krijimin e një platforme shpërblyese për arritjet në fushë. Të dy emrat në fakt nuk janë të panjohur për njeri tjetrin pasi që në 2014 kanë zhvilluar aktivitete të përbashkëta për avancimet në teknologjinë e kamerave të smartphonëve.
Vision+ Mobile Photography Awards do të ftojë përdoruesit e smartphonlve të shfaqin aftësitë e tyre, kandidaturat më të spikatura do të bëhen pjesë e kompeticionit ndërkombëtar. Datat e fillimit duhet të publikohen në faqet zyrtare të të dyja kompanive.
Një vështrim krejt interesant nga ana e Vivo. Është çmenduri të mendosh ç’mund të bëjnë lentet e smartphonëve sot.