Një patentim i ri nga Vivo ka bërë njerëzit të habiten, pasi është tepër i çuditshëm dhe unik. Sistemi i kamerave në këtë patentim duket të jetë i instaluar në një sistem pop-up, mjaft të ngjashëm me atë që kemi parë në OnePlus 7 Pro dhe disa smartphone të tjerë. Ndryshimi i vetëm është se në këtë rast nuk përfshihet vetëm një kamera selfie, por 4 lente të ndryshme, të cilat vendosen njëra mbi tjetrën.
Kur kamerat mbyllen, ato “paketohen” brenda smartphone-it duke zënë një hapësirë shumë më të vogël krahasuar me hapësirën që zënë kur janë të hapura. Sipas patentimit, sistemi i kamerave do të jetë në gjendje të prezantojë high multiple zoom, një aftësi zmadhimi më e madhe se Samsung Galaxy S21 Ultra. Për momentin shumica e kamerave ofrojnë deri në 5x ose 10x zmadhim optik.
Ky dizajn është mjaft interesant, por sfida më e madhe e tij do të jetë koha e hapjes dhe e mbylljes së këtyre kamerave. Një tjetër problem është dhe jetëgjatësia e këtij sistemi, pasi pjesët mekanike mund të ngecin. Aktualisht në patentim nuk ofrohet asnjë informacion ekzakt se sa do të jetë aftësia zmadhuese e këtij smartphone-i.