Smartphone-t e hollë po rikthehen fuqishëm dhe dy gjigantët e industrisë, Apple dhe Samsung, po përballen me modelet e tyre më të fundit: iPhone Air dhe Galaxy S25 Edge. Të dyja pajisjet synojnë përdoruesit që kërkojnë elegancë pa kompromis në performancë.
Dizajni dhe madhësia

Të dy telefonët kanë korniza titani, por ndërsa iPhone Air sjell një shkëlqim të lëmuar, Galaxy preferon përfundimin mat. Pesha dhe trashësia ndryshojnë minimalisht, me Galaxy S25 Edge që peshon 2 gram më pak se iPhone Air, ndërkohë që Air është 0.2mm më i hollë. Megjithatë, kamera e iPhone Air del më shumë nga trupi, ndërsa ajo e Galaxy mbetet më kompakte.
Ekrani

Galaxy S25 Edge ofron një panel 6.7” me dendësi më të lartë pikselësh dhe prerje më të vogël për kamerën e përparme. Të dyja ekranet suportojnë 120 Hz dhe HDR10, por iPhone Air (6.5″) arrin deri në 3,000 nits ndriçim maksimal, krahasuar me 2,600 nits të Galaxy. Për mbrojtje, iPhone përdor Ceramic Shield 2, ndërsa Samsung Gorilla Glass Ceramic 2.
Performanca

Apple prezanton çipin A19 Pro, të shpallur si procesori më i shpejti në botë për smartphone, ndërsa Galaxy mbështetet në Snapdragon 8 Gen Elite. Samsung ka avantazh me dhomën e avullit për shpërndarjen e nxehtësisë, ndërsa iPhone mbështetet vetëm në efikasitetin e çipit. Të dyja modelet vijnë me 12 GB RAM dhe 256 GB memorie bazë, por iPhone arrin deri në 1 TB, ndërsa Galaxy vetëm 512 GB.
Kamerat
Galaxy fiton qartë me një sensor kryesor 200 MP dhe mundësi regjistrimi deri në 8K video, krahasuar me kufizimin e iPhone në 4K 60fps. Megjithatë, iPhone ka një kamerë të përparme 18 MP me kënd më të gjerë për selfie.

Bateria dhe karikimi
Samsung ka integruar një bateri 23% më të madhe dhe karikim më të shpejtë me 25W, kundrejt 20W wireless të Apple.
Të dyja pajisjet ofrojnë Wi-Fi 7 dhe UWB, por iPhone ka Bluetooth 6.0 dhe eSIM-only, ndërsa Galaxy ruan portën USB 3.2, stereo altoparlantë dhe hapësirën fizike për SIM. Çmimi mbetet faktor kyç: Galaxy S25 Edge nis nga $840, ndërsa iPhone Air nga $1,000, duke i dhënë Samsung-ut një epërsi të qartë në raportin cilësi/çmim.