Motorola po punon për të sjellë një version të ri të smartphone-it të palosshëm Razr, siç tregohet në një postim në Weibo nga Chen Jin, menaxheri i përgjithshëm i Lenovo Mobile Business Group në Kinë. Në këtë postim ai shpjegon se si kompania ka punuar qetësisht për të sjellë një version të update-uar të Razr.
Gjenerata e 3-të e Motorola Razr pritet të ketë një proçesor dhe ndërfaqje të përmirësuar së bashku me një pamje të re. Në këtë fazë është ende herët për të treguar se sa ndryshe do të jetë ky produkt nga paraardhësi, i cili linte shumë për të dëshiruar.
Ndoshta kjo tentativë e 3-të në sektorin e pajisjeve të palosshme do të jetë “e vërteta” për Motorolan, pasi 2 modelet e mëparshme ishin shumë të vështira përt t’u rekomanduar. Tashmë Razr përballet me rivalitetin e fortë të Samsung Z Flip, i cili jo vetëm që është një produkt shumë më i mirë, por vjen dhe me një çmim prej $1,000.
Një nga fjalitë e shkruara nga Jin tregon se produkti mund të publikohet fillimisht në Kinë, dhe më pas në tregun botëror. Pyetur nga gazetarë të ndryshëm, Motorola ka refuzuar të komentojë mbi këtë pajisje.