Kur vjen puna tek smartphone-t e palosshëm, 2 ekrane nuk janë gjithmonë më mirë se 1. Microsoft e ka kuptuar këtë gjë dhe ka planifikuar të ndryshojë dizajnin e Surface Duo, duke përdorur një ekran të vetëm që mund të paloset, në mënyrë të ngjashme me Galaxy Z Fold.
Smartphone-i i ri nga Microsoft pritet të ketë një mekanizëm hapje 180 gradë si dhe një ekran të jashtëm, duke ndryshuar rrënjësisht pamjen e këtij produkti. Aktualisht Surface Duo ka 2 ekrane në pjesën e brendshme, të cilat janë të ndara midis tyre nga mekanizmi i hapjes, ndryshe nga pajisjet e tjera të palosshme në treg.
Nëse gjithçka do të shkonte sipas planeve, Surface Duo do të prezantohej në fund të vitit 2023 me të njejtin dizajn me 2 ekrane, por Microsoft mori vendimin për ndryshimin e dizajnit pasi gjithçka ishte përgatitur, duke bërë që kompania të kërkonte më tepër kohë.
Kur u pyet rreth këtyre raportimeve, zëdhënësi i Microsoft tha se kompania nuk ka asnjë koment.
Fillimisht Surface Duo kishte një potencial mjaft të mirë për t’u përdorur si një e-reader falë dizajnit me 2 ekrane. Mirëpo për fatin e keq jo të gjithë aplikacionet ishin të optimizuara për këtë dizajn, si dhe kamerat ishin jo dhe aq të mira në krahasim me konkurentët.
Përdorimi i dizajnit të ri me ekran të palosshëm mund të zgjidhë disa nga këto probleme, por do ta bëjë Surface Duo-n më pak të dallueshme nga smartphone-t e tjerë të palosshëm.