Pesëmbëdhjetë vite pas lançimit të pajisjes origjinale iPhone nga Apple (i njohur ndryshe dhe si iPhone 2G apo iPhone 1 dhe që kushtonte $599), një pajisje e tillë e pahapur ende nga kutia sapo është shitur në ankand për $39,339.
Kutia është ende me qesen plastike origjinale të fabrikës, dhe brenda saj gjendet pajisja revolucionare me 8GB memorie të brendshme, kamera 2MP dhe një portë 3.5mm për kufjet. Në ditët e sotme gjithçka ka ndryshuar, pasi në një iPhone 14 ju keni 128GB memorie të brendshme, 2 kamera në pjesën e pasme dhe tashmë kufjet wireless po promovohen gjithnjë e më shumë.
Në pjesën e sipërme të kutisë është e printuar një fotografi e smartphone-it dhe home-screen origjinal, me aplikacionin iPod për të dëgjuar këngë dhe YouTube ende me logon e vjetër.
Nëse ne do të llogarisim dhe inflacionin gjatë gjithë këtyre viteve, iPhone-i origjinal në ditën e sotme do të kushtonte $860. Mirëpo me shumë mundësi ky është iPhone-i i vetëm në botë që është ende në kutinë origjinale i pahapur, prandaj kjo pajisje u shit për këtë shifër marramendëse.