Apple ka prezantuar një sërë përditësimesh për sigurinë e fëmijëve, që do të vijnë këtë vjeshtë me iOS 26, iPadOS 26, macOS Tahoe 26, ëatchOS 26, visionOS 26 dhe tvOS 26. Ndër risitë më të rëndësishme është një funksion i ri që i jep prindërve më shumë kontroll mbi kontaktet e fëmijëve të tyre.
Tani, fëmijët do të duhet të marrin miratim nga prindërit për të komunikuar me një numër të ri në telefon. Kërkesa do të shfaqet në aplikacionin Messages, ku prindi mund ta miratojë ose refuzojë me një klikim. Gjithashtu, Apple po prezanton “PermissionKit”, një paketë që u mundëson zhvilluesve të integrojnë funksione të ngjashme në aplikacionet e tyre, për shembull, për të kërkuar leje për të ndjekur apo kontaktuar persona të tjerë.

Kontrollet prindërore të Apple tashmë kufizojnë përmbajtjen e papërshtatshme për fëmijët nën 13 vjeç. Së shpejti, do të shtohen mbrojtje të ngjashme edhe për grupmoshat 13–17 vjeç. Mjeti Communication Safety do të përmirësohet për të ndërhyrë kur zbulohen pamje nudo në thirrje FaceTime dhe për të zbehur imazhet e ndjeshme në albumet e ndara në aplikacionin Photos.
Për më tepër, App Store do të përditësojë sistemin e vlerësimit të moshës me kategori më të detajuara: 13+, 16+ dhe 18+. Apple do t’u lejojë prindërve të ndajnë vetëm grupmoshën e fëmijës me aplikacionet, pa zbuluar datëlindjen e saktë. Kjo do të bëhet përmes API-së së re “Declared Age Range”.
Ky zhvillim vjen ndërkohë që rregullatorët shtetërorë dhe kompani si Meta e Snap po shtyjnë për verifikim të detyrueshëm të moshës në App Store – një nismë që Apple e kundërshton për arsye privatësie.