Apple po punon për krijimin e një teknologjie të re e cila do të ndihmojë në diagnostikimin e problemeve në shëndetin mendor si depresioni dhe rënia e aftësive njohëse të përdoruesve.
Për të arritur këto rezultate kompania ka vendosur të bashkpunojë me University of California dhe kompaninë biotech Biogen. Insiders tregon se studiuesit do të përdorin të dhënat e grumbulluara nga sensorët e iPhone dhe do të kërkojnë për shenja dixhitale që lidhen me sëmundjet mendore si depresioni dhe ankthi, e më pas do t’i përfshijnë ato në një algoritëm.
Kjo gjë do të bëjë të mundur parashikimin e këtyre sëmundjeve përmes të dhënave të grumbulluara nga iPhone-i juaj në versionet e ardhshme të sistemit operativ iOS. Ky projekt është ende në hapat e para dhe nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Apple apo kompani të tjera.
Diagnostikimi efektiv i sëmundjeve mendore është tepër i vështirë pasi kërkon monitorim të kujdesshëm nga specialistët. Pikërisht një indikacion i hershëm nga iPhone mund të lehtësojë në diagnostikimin e këtyre sëmundjeve.
3,000 persona do të ndihmojnë në grumbullimin e të dhënave përmes kameras, lëvizjes së Apple Watch, shenjave jetike dhe regjistrimit të gjumit. Gjithashtu mund të studiohen dhe mimikat e fytyrës, mënyra se si vullnetarët flasin, sa shpesh ato dalin për një shëtitje dhe kualiteti i gjumit.