Apple kishte planifikuar që në iPhone 14 Pro të rriste aftësitë grafike, por u detyrua të linte mënjanë këto plane për GPU e re për shkak se u zbuluan disa pengesa gjatë zhvillimit.
The Information tregoi se inxhinierët e Apple “ishin tepër ambiciozë” dhe dëshironin të sillnin shërbime të reja me proçesorin e grafikave të dizenjuar për iPhone 14 Pro, duke përfshirë këtu dhe shërbimet si ray tracing që shton një nivel të ri të realiteti në lojra. Megjithatë në prototipet e iPhone 14 Pro u zbula se ky proçesor kërkonte shumë më tepër energji se ç’pritej, duke dëmtuar jetëgjatësinë e baterisë dhe duke mbinxehur sistemin.
Apple e zbuloi këtë problem shumë vonë gjatë ciklit të zhvillimit dhe nuk kishte kohë të mendonte për një zgjidhje tjetër përveç përdorimit të GPU që gjendet në proçesorin A15 Bionic të vitit të kaluar.
Ky problem ishte shumë i papritur për Apple, dhe rezultoi në një përmirësim shumë të vogël për sa i përket grafikave nga viti në vit. Apple vendosi të ristrukturonte ekipin që zhvillon proçesorët e grafikave, duke larguar disa menaxherë nga projekti, madje dhe të disa figurave kryesore që kanë kontribuar prej vitesh në Apple.
Raportimi vazhdon të tregojë se si Apple ka humbur shumë talente në ekipin e saj, të cilët e ndihmuan kompaninë ndër vite të bënin diferencën.