Bashkimi Evropian ka propozuar vendosjen e rregullave të reja për prodhuesit e smartphone-ve. Rregullatorët kanë sugjeruar që këta prodhues të sigurojnë të paktën 5 vite security updates për pajisjete tyre dhe 3 software updates. Për më tepër, këto rifreskime duhet të vijnë drejt përdoruesve në një kohë jo më të gjatë se 2 muaj pas publikimit zyrtar të tyre.
Nëse këto ligje do të miratohen, do të ndryshojnë në mënyrë drastike suportin nga prodhuesit e smartphone-ve për pajisjet e tyre. Samsung dhe Google janë të vetmet kompani që premtojnë 5 vite security updates në një numër të limituar smartphone-sh që prodhojnë. Gjatë kohëve të fundit Samsung ka premtuar dhe 4 software updates në pajisjet premium, numri më i madh në botën e pajisjeve Android.
Google dhe kompani të tjera ofrojnë deri në 3 software updates në pajisje të përzgjedhura. Mirëpo nëse një ligj i tillë do të miratohet, këto rifreskime duhet të ofrohen për të gjitha pajisjet që kompanitë prodhojnë, si ato low-end dhe ato premium.
Qëllimi i BE është që të rrisë jetëgjatësinë e pajisjeve, duke ulur numrin e mbetjeve elektronike. Gjithashtu për sa kohë që një pajisje projektohet të jetë funksionale për të paktën 5 vite, në treg do të duhet të ofrohen dhe pjesë të ndryshme për riparimin e këtyre pajisjeve. Kjo gjë është e cituar dhe në draftin e prezantuar nga BE.