Horizon Forbidden West do të publikohet së shpejti, dhe për të festuar PlayStation ka publikuar një story trailer të ri. Përmes këtij trailer-i ne kuptojmë më mirë rreziqet me të cilat Aloy do të përballet gjatë rrugës së saj drejt perëndimit.
Toka është duke vdekur, pasi është prekur nga një lloj sëmundjeje shkatërruese që vetëm Aloy e armatosur me fokusin e saj ka fuqinë për ta parandaluar. Për të arritur këtë qëllim ajo do të shkojë në drejtim të perëndimit dhe do të eksplorojë rrënojat e vendeve mjaft të famshme si Golden Gate Bridge.
Aloy nuk do të jetë e vetme në udhëtimin e saj, pasi do të shoqërohet nga miqtë e vjetër Erend dhe Varl. Një tjetër mik i vjetër, Sylens, do të shfaqet në perëndim duke punuar për Regalla, një fis i dedikuar ndaj luftës dhe pushtimeve, duke i dhënë atyre mjetet e nevojshme për të kontrolluar makineritë.
Në Horizon Forbidden West Aloy do të kalojë në vende të ndryshme për të gjetur sekretet e sëmundjes që po kërcënojnë planetin.
Horizon Forbidden West do të lançohet në PlayStation në datën 18 shkurt.