PlayStation5 ka dalë tregjeve, dhe padyshim që krijuesit e vetë do të shijojnë gjithë lavdinë e mundshme.
Gjatë një interviste për GQ, Jim Ryan, shefi i PS ndau me lexuesit mjaft aspekte të rrugëtimit të konsoles së re. Kur idetë filluan të hidheshin 5 vjet më përpara, fokusi kryesor ishte padyshim teknologjia e çipit dhe implementimi i saj sa më i suksesshëm.
Për këtë të fundit ai tha se iu desh të ndalonte inxhinierët e vetë nga krijimi i një konsole $1000. Tek e fundit PlayStation është një konsole me shtrirje goxha të gjerë, një çmim i tillë do të kufizonte shumë.
Është e vërtetë që për shkak të ditëve të para, rishitësit e parregulluar po e shesin me atë çmim pak a shumë, por me të kaluar kjo periudhë shifrat do të normalizohen.
Ndër të tjera ai foli për fokusin e veçantë që skuadra kësaj here i dedikoi eksperiencës së luajtjes në të, shoqëruar nga reagimi i DualSense dhe audio 3D.
Aspekt tjetër i rëndësishëm është edhe designi aspak tradicional i saj. Në lidhje me këtë Ryan tha se vendimi ishte i qëllimshëm, kësaj here Sony dëshironte të ishte sa më guximtare, për të shfaqur besim në vete dhe gati për të sjellë koncepte të së ardhmes.