Me sa duket EA ka vendosur të riemërtojë lojën FIFA në EA Sports Football Club. Kjo gjë bëhet e ditur nga gazetari Jeff Grubb, i cili tregon se ekipi ka aprovuar vendimin për të ndërruar emrin e lojës.
“Unë pashë disa marka tregtare të aprovuara, dhe mendova se ajo do të jetë thjesht një shërbim i ri apo një modalitet online, mirëpo unë pyeta më tepër rreth tij dhe zbulova se EA Sports Football Club do të jetë emri i ri i lojës.” tregoi Grubb.
Dhe pse kjo gjë nuk është konfirmuar ende, kemi parë se me kalimin e kohës informacionet e publikuara nga Grubb janë gjithmonë të sakta. Gjatë tetorit të kaluar, EA aplikoi për patentim në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE për diçka të quajtur “EA Sports FC”, ku deklaroi publikisht se po eksploron idenë e riemërtimit të lojës mjaft të famshme të tyre.
Interesant është fakti se këto aplikime u bënë shumë pak kohë pasi kompania zbuloi se po rishikonte marrëveshjen me FIFA mbi të drejtat e përdorimit të emrit, e cila është tërësisht e ndarë nga të gjitha partneritetet zyrtare apo liçensimet në të gjithë botën e futbollit.
EA Sports FC ka qenë më parë pjesë e lojës si një shërbim social nga 2011 deri në 2020, mirëpo tani duket se ky do të jetë emri i ri i lojës.