Në një kohë kur Asistentët Vokal po i shohim gjithandej, është më se logjike që ti shtohen edhe botës së video games. Aset i cili ka qenë në vëmendjen e industrisë prej kohësh, dhe patenta të cilën PlayStation sapo ka regjistruar vërteton më së miri parashikimet.
Në 7 Maj Sony regjistroi patentën e një sistemi i cili llogarit sa gjatë do të shkojë një segment i caktuar i lojës, ta ballafaqojë atë me kalendarin apo axhendën tënde dhe të të këshillojë kur duhet të luash apo jo.
Më konkretisht sistemi do të duhet të llogarisë sa zgjat një nivel i caktuar mesatarisht, duhet të marrë parasysh edhe aftësitë e tua dhe do të përllogarisë kohën që do të të duhet për ta përmbushur një mision.
Kështu nëse po i afrohesh një orari të fiksuar në axhendë, një mbledhje apo takim, dhe ke përpara lojës një ndeshje me një boss të fuqishëm, i cili do të dojë goxha kohë për tu mundur sistemi inteligjent do të të ndihmojë të bësh një zgjedhje, nëse duhet të vazhdosh apo ta provosh më vonë.
Duke marrë parasysh që video lojrat tashmë luhen nga të gjitha moshat, Sony është e ndërgjegjshme që individi ka edhe përgjegjësi jashtë botës virtuale, dhe në këtë mënyrë tenton të ndihmojë në menaxhimin e kohës së gjithësecilit.
Përderisa sapo është patentuar, nuk besohet se do ta shohim që në lançim të PS5, por do të ishte një shtesë ktejt e mirëpritur gjatë rrugës.
Ndërkohë presim me ankth të dimë emrat respektivë të asistentëve virtualë të secilës prej konsoleve.