Në 2021 është akoma e vështirë blerja e një konsole PS5. PlayStation i ri nga Sony jo vetëm që është në kërkesë të madhe, por problemet në prodhim dhe mungesa e komponentëve në treg po pengojnë përgatitjen e tyre. Kërkesa e lartë dhe furnizimi i ulët është një kombinim shumë i keq për konsumatorët, duke bërë që çmimi i konsolave të dyfishohet.
Shumë njerëz besuan se ky problem do të zgjidhej në 2021, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur dhe me sa duket do të vazhdojë në këtë rrugë për një kohë të gjatë. Në fakt, një raportim i ri sugjeron se PS5 dhe Xbox Series X do të gjenden me vështirësi në treg të paktën deri në mesin e vitit 2022.
Duke folur për mungesën në treg, Foxconn, një nga prodhuesit më të mëdhenj të komponentëve elektronikë lajmëron se një situatë e tillë nuk do të ndryshojë në muajt në vijim. Për sa kohë që mungesa e komponentëve të vazhdojë, prodhimi i konsolave të reja do të jetë gjithashtu i limituar.
Për fatin e mirë të fansave të Xbox, kërkesa për momentin është më e ulët sesa ajo për PS5, kështu ata kanë një mundësi më të madhe për të blerë konsolën e tyre të preferuar.