Partneri më i ri mediatik i Festivalit të Filmit në Kanë, Brut., ka sjellë këtë event madhështor në metaverse.
Sfondi i famshëm i këtij festivali do të rikriojhet në mënyrë dixhitale më pas nga video-loja mjaft e njohur, Fortnite. Në këtë mënyrë lojtarët do të mund të përjetojnë Festivalin e Filmit në Kanë përmes syve të 3 karaktereve të ndryshëm: një gazetar që bën intervista, një aktor që merr pjesë në audicione për t’u përzgjedhur nga një regjizor i madh, dhe një regjizor që duhet të gjejë faqet e keqvendosura të një skenari, ta dërgojë këtë skenar tek një producent dhe të ecë në tapetin e kuq.
Në këtë version të ri do të gjenden dhe tema të tjera gjithëpërfshirëse, si ndryshimet klimatike dhe diversiteti në biznesin e filmave.
Eksperienca virtuale është një ndër mënyrat e ndryshme teknologjike të Brut. për të bërë Festivalin e Filmit në Kanë më të aksesueshëm nga ndjekësit, kryesisht ato të moshës së re. “Ishte tepër e rëndësishme për ne që të sillnim Festivalin e Filmit në Kanë në një format që gjeneratat e ardhshme do ta njohin. Festivali më i madh i filmit në botë duhet të jetë i aksesueshëm nga të gjithë, dhe platformat e videolojrave janë mjetet e duhura që do të na ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi.” tha Guillaume Lacroix, bashkë-themelues dhe CEO i Brut.
Në bashkëpunim me qytetin e Kanës, Vysena Studio ka krijuar një model ekzakt të disa ambienteve të ndryshme të qytetit, duke përfshirë këtu Croisette, Palais des Festivals dhe shkallët mjaft të njohura të saj.