Razer ka sjellë në CES 2023 një teknologji të re që ju bën të zhyteni akoma më thellë në botën gaming. Gjatë këtij eventi kompania prezantoi “Project Carol”, një jastëk për mbështetjen e kokës në karriget gaming e cila është e pajisur me bokse për audion dhe motora vibrues që aktivizohen me secilën lojë që ju luani.
Megjithatë kompania nuk informoi publikun në lidhje me çmimin e këtij produkti apo kohën se kur ky produkt do të dalë në shitje. Nëpërmjet informacioneve të pakta të dhëna nga kompania u kuptua se audio dhe motorët vibrues janë të fuqizuar nga teknologjia “HyperSense” e Razer, e cila më parë është përdorur në gaming headsets të kompanisë. Project Carol mund të vendoset në çdo karrige gaming dhe të lidhet me kompjuterin tuaj nëpërmjet një lidhje 2.4 GHz.
Ky jastëk nuk do të ketë nevojë të vendoset në prizë për të funksionuar, pasi është i pajisur me një bateri që sipas Razer do të zgjasë deri në 8 orë para se ju të keni nevojë ta rikarikoni. Në qoftë se ju luani 8 orë pa ndalim duhet gjithashtu të konsideroni një “rikarikim” për veten tuaj!
Mezi presim që ky produkt të jetë i aksesueshëm për publikun në mënyrë që të testojmë shërbimet e veçanta të tij.