CEO i PlayStation, Jim Ryan, morri pjesë në eventin CES 2023 për të deklaruar se problemi i mungesës së konsolave PS5 është zgjidhur më në fund. Tashmë njerëzit duhet ta kenë shumë më të thjeshtë për të gjetur këto konsola në dyqanet në mbarë botën.
Ryan tha: “Duke filluar nga ky moment, të gjithë personat që dëshirojnë një PS5 do ta kenë më të thjeshtë ta gjejnë këtë pajisje në pikat e shitjes në mbarë botën.”
PS5 u lançua në nëntor të vitit 2020 dhe shumë shpejt u shndërrua në konsolën më të kërkuar të momentit. Mirëpo jo të gjithë personat që dëshironin të blinin një pajisje të tillë e gjetën atë në dyqan, kryesisht për shkak të mungesës globale të proçesorëve gjysëm-konduktorë dhe materialeve të tjera të rëndësishme. Kjo mungesë nuk preku vetëm PS5, por dhe kompani të tjera si Xbox apo Nintendo.
Sony konfirmoi gjithashtu gjatë këtij eventi se deri në këtë moment janë shitur rreth 30 milionë konsola PS5 në mbarë botën. Muaji i kaluar ishte muaji më i suksesshëm për kompaninë, ku u regjistrua numri më i lartë i shitjeve që nga lançimi i PS5 në 2020.
Në internet vazhdojnë të qarkullojnë zëra rreth prezantimit të një modeli më të hollë të PS5, mirëpo asgjë nuk është konfirmuar ende nga kompania. I vetmi hardware i ri i prezantuar nga Sony në CES 2023 ishte Project Leonardo, një controller i personalizueshëm për PS5.