Adoleshenti me origjinë shqiptare, Arion Kurtaj, i cili jeton në Londër arriti të aksesonte informacionet sekrete të GTA VI përmes një Amazon Fire Stick ndërkohë që ishte në një hotel.
Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara, 18-vjeçari Arion Kurtaj u “kap në flagrancë” kur policia e qytetit të Londrës kontrolloi hotelin e tij Travelodge – ku ai mbahej me kusht pas arrestimit të tij në mars 2022 pasi ishte pjesë e sulmit kibernetik ndaj Nvidia. Atje, forcat e rendit gjetën media player-in dixhital të lidhur me televizorin e dhomës së hotelit, i cili i lejoi Kurtajt të depërtonte në Rockstar me një tastierë, maus dhe smartphone.
Hakimi i Kurtajt kundër Rockstar Games u përshkrua si “më i guximshmi” i tij – jo vetëm për shkak të sjelljes së tij flagrante gjatë hakimit, por sepse ai e ekzekutoi atë ndërsa ishte në lirim me kusht për krime të tjera të lidhura me sulmet kibernetike. Kurtaj madje ka arritur të komunikojë dhe në Slack të Rockstar, duke i thënë stafit se ai nuk është punonjës, por “sulmues”.
Kurtaj pretendon se kishte shkarkuar të gjitha të dhënat e GTA VI, duke deklaruar se ai do të publikonte source code nëse Rockstar Games nuk e kontaktonte atë në aplikacionin Telegram. Është e paqartë nëse kompania ka kontaktuar ndonjëherë me Kurtaj, por detaje të shumta rreth lojës dolën në internet vitin e kaluar – megjithëse nuk e dimë me siguri nëse Kurtaj ishte pas të gjitha këtyre publikimeve. Rrjedhja e informacionit ishte aq e keqe sa Rockstar Games, pas vitesh heshtjeje për pjesën tjetër të serisë GTA, më në fund konfirmoi ekzistencën e lojës në X (ish Twitter) në shkurt 2022.