Një sarkofag misterioz i zbuluar në thellësinë e katedrales Notre-Dame pas zjarrit të rënë në vitin 2019 do të hapet së shpejti për të zbuluar sekretet e tij. Para një muaji gjatë punës përgatitore për të rindërtuar katedralen, punonjësit gjetën një sarkofag prej plumbi të varrosur pothuajse 20 metra nën tokë dhe mendohet se i përket shekullit të 14.
Shkencëtarët kanë hedhur një sy brenda sarkofagut duke përdorur një kamera endoskopike dhe kanë zbuluar pjesët e sipërme të një skeleti, një jastëk prej gjethesh, flokë, tekstile dhe mbetje të thara organike. Sarkofagu është 1.95 metra i gjatë dhe aktualisht po ruhet në një vendndodhje të sigurtë para se t’i dërgohet Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ekspertët e mjeksisë ligjore do të bëjnë hapjen e këtij sarkofagu dhe do të studiojnë përmbajtjen e gjetur për të identifikuar gjininë e skeletit dhe gjendjen e mëparshme shëndetësore, sipas arkeologut kryesor Christophe Besnier. Gjithashtu do të përdoret teknologjia e karbonit për të mësuar se sa i vjetër është sarkofagu.
Në bazë të vendit dhe mënyrës së varrosjes, besohet se në këtë sarkofag gjendet një person shumë i rëndësishëm në atë kohë. Megjithatë drejtuesi i INRAP Dominique Garcia tha se trupi do të ekzaminohet në bazë të ligjeve franceze për sa i përket studimit të mbetjeve humane.