Zyrtarët e shëndetësisë pritet që ditën e mërkurë të prezantojnë disa prova se pse njerëzit do të kenë nevojë për një tjetër dozë të vaksinës anti COVID-19 tetë muaj pasi të kenë marrë dozën e dytë të saj.
Kjo periudhë kohore 8 mujore lidhet me zbulimet e bëra nga studiuesit rreth kohëzgjatjes së antitrupave në organizmin tonë dhe aftësisë që ato kanë për të përballuar variantin tepër të transmetueshëm delta i cili ka “pushtuar” të gjithë botën.
“Delta po e forcon këtë diskutim mbi marrjen e një tjetër doze” tha Dr. Colleen Kraft, pjesë e ekipit në Emory University Hospital në Atlanta.
Ky variant është përgjegjës për pothuajse 100% të rasteve të reja me COVID 19 në SHBA. Që nga fillimi i muajit korrik, rastet e reja me koronavirus janë rritur me 700%, ku pjesa dërrmuese e tyre ishin infektuar me variantin delta.
Efektiviteti i vaksinave aktuale është ende i paditur në lidhje me variantin delta, bashkë me jetëgjatësinë e antitrupave në trupin tonë. Prandaj ekspertët mezi po presin të shohin të dhënat e reja të grumbulluara që shtynë zyrtarët drejt përzgjedhjes së periudhës 8 mujore për rimarrjen e një tjetër doze.