Federata Shqiptare e Futbollit ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Samsonite, një nga markat më të njohura dhe prestigjoze ndërkombëtare në industrinë e udhëtimit. Në kuadër të këtij partneriteti prezantohet një koleksion limited edition ekskluzive e një prej valixheve më luksoze të prodhuara nga Samsonite, e konceptuar posaçërisht për të reflektuar identitetin kombëtar shqiptar.
Valixhja është e personalizuar me elemente vizuale të fanellës së Kombëtares Shqiptare, si dhe me simbolikën e flamurit kombëtar. Dizajni dhe cilësia e lartë e saj e bëjnë këtë produkt jo vetëm funksional për udhëtim, por edhe simbolik për tifozët dhe përfaqësuesit e futbollit shqiptar.

Ky koleksion i prodhuar në sasi të kufizuara përfaqëson rrugëtimin, ambicien dhe dëshirën për të shkuar gjithmonë më larg. Ai synon të shoqërojë çdo udhëtim drejt sfidave të rëndësishme dhe fazave vendimtare, përfshirë edhe ndeshjet e play-off-it, duke u kthyer në një simbol të përgatitjes dhe besimit për sukses.
Bashkëpunimi me Samsonite është pjesë e vizionit strategjik të FSHF-së për të ndërtuar partneritete afatgjata me brande ndërkombëtare prestigjoze. Ky vizion synon të rrisë standardet e përfaqësimit, të forcojë imazhin institucional dhe të pozicionojë futbollin shqiptar në një nivel më të lartë profesional dhe ndërkombëtar.
Valixhja limited edition mund të porositet online përmes linkut, si dhe të blihet në pikat zyrtare të shitjes në dyqanet Samsonite në TEG, Albi Mall dhe Prishtina Mall.

