Elon Musk ka nisur shitjen e birrave “GigaBier” të cilat janë të prodhuara në Gjermani dhe janë të vendosura në shishe që kanë dizajn të ngjashëm me makinën elektrike Cybertruck.
Për herë të parë “GigaBier” u prezantua në tetor të 2021 për të festuar hapjen e fabrikës së Tesla në Berlin. Kjo fabrikë është tepër e rëndësishme për ambiciet që kompania ka për shitjet në Evropë, por prodhimi është ndaluar disa herë për shkak të shtyrjes së lejeve dhe akuzat nga aktivistët për mbrojtjen e ambientit.
Kjo gjë nuk e ka ndaluar aspak Elon Musk që të përfitojë akoma më tepër nga fansat tepër besnik të kompanisë. Një paketim me 3 birra “GigaBier” 330ml secila do të kushtojë €89.
Kjo nuk është hera e parë që Tesla përfshihet në tregun e pijeve alkolike, pasi ka prezantuar në vitin 2020 Tesla Tequila, që vinte me një shishe në formën e një vetëtime dhe shitej për $250. Ky produkt u shit menjëherë, dhe Tesla u detyrua ta rikthente në stok për herë të dytë.
Dhe pse Musk ka treguar se ai nuk e pëlqen as shijen dhe as efektet e alkoolit, ai është fotografuar në finale e Kupës së Botës në Katar duke pirë verë të kuqe.